“Kritikat e SHBA-së janë me vend”, Konjufca: Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në raportet mes dy vendeve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha të mërkurën se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë për t’u shqetësuar. Në një deklaratë për media ai u shpreh se nuk ka nevojë të krijohet panik për këtë çështje, ndërsa shtoi se se vërejtjet e aleatit më të madh të Kosovës nuk kanë të bëjnë me ligjshmërinë e veprimeve të Qeverisë.
“Unë mendoj që nuk janë raporte për t’u shqetësuar, për të bërë panik. Mendoj që raportet janë përtej këtyre ndryshimeve në perceptim që e kemi se si të veprohet në pjesën e veriut të Kosovës. I mirëkuptojmë plotësisht ato vërejtje edhe kritikat që na jep SHBA, pasi janë gjithmonë kritika me vend. SHBA e sheh Kosovën në nivel shumë më të lartë se sa e shohim ne, e shohin në rajon, në Evropë dhe në kontekstin e përgjithshëm global”, u shpreh Konjufca.
Kryeparlamentari Konjufca theksoi se është e drejtë e shtetit të Kosovës të shtrijë sundimin e ligjit dhe sovranitetit në të gjithë vendin.