Kriza/ Ambasadori amerikan, Hovener: Kemi besim te BE për dialogun Kosovë – Serbi
Gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që po mbahet në Prishtinë Xhefri Hovener ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim të plotë te Bashkimi Evropian sa i përket ndërmjetësimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“ShBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Xhosef Borel dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si zbatues objektiv të kësaj politike”, tha Hovenier.
Deklarata e Hovenierit vjen dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, drejtoi akuza ndaj Lajçakut, që e cilësoi si ndërmjetësues të njëanshëm.
Kurti tha se gjatë rundit të fundit të dialogut – të mbajtur në Bruksel më 14 shtator – dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.
Në këtë takim kryeministri i Kosovës paraqiti një plan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit që tha se u refuzua nga BE-ja dhe Serbia, ku Lajçaku “u pozicionua” kundër Kosovës.
“Është e rëndësishme që të gjithë aktorët në këtë operacion, në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë poker me letrat që u kanë rënë. Dhe të kenë në mendje këtë vizion, puna për normalizimin e raporteve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Aneksit, nga të dyja palët, gjë që është pritja jonë, është rruga përpara. Kjo e sjell Kosovën më afër vizionit që ne ndajmë për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike”, tha Hovenier.
Bashkimi Evropian më 19 shtator tha se nuk komenton deklaratat e Kurtit, që sipas bllokut përmbajnë “akuza të pabaza”. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Lajçaku dhe Borrelli – ndërmjetësuesit evropianë të dialogut – kanë mbështeten e shteteve anëtare të BE-së.