Kriza me Serbinë/ Kurti: S’ka kompromis duke vendosur si kusht Asocacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk mund të pranojë si kompromis nëse Asociacioni vendoset si kusht për konsensus nga ana e Bashkimit Evropian dhe e Serbisë.
Kurti ka theksuar se Serbia nuk ka asnjë propozim konkret por ka dorëzuar një dokument që kushtëzon zbatimin e marrëveshjes me formimin e Asociacionit.
Sipas Kurtit, kjo e kthen procesin në prill të vitit 2013.
“Propozova një plan sekuencimi se si të bëhet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. As nga BE e as nga Serbia nuk ka pasur propozim. Ky është takimi i parë në nivel të lartë ku ne bisedojmë mbi implementimin e marrëveshjes dhe sekuencimin e tij. Unë sot e kuptova se Serbia nuk ka propozim, por ka dorëzuar një dokument që kushtëzon zbatimin e marrëveshjes me formimin e Asociacionit. E kjo na kthen në prill të vitit 2013. Nuk jemi në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. S’është marrëveshja e vitit 2013”, ka theksuar Kurti në një prononcim për mediat.
Kryeministri ka deklaruar gjithashtu se sot është informuar se kushtëzim i Serbisë është bërë qëndrim i të deleguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Unë sot e mora vesh pse që 6 muaj nuk ecën puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes, sepse Serbia ka vënë si kushtëzim formimin e Asociacionit. Unë këtë nuk e kam pasur më herët. E ky kushtëzim i Serbisë është shndërruar në qëndrim të Lajçakut. E për të ecur përpara kjo duhet të tejkalohet”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka shtuar se nuk mund të ketë “kompromis midis propozimit dhe kushtëzimit”.
“Sot dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellë vetëm Kosova përmes meje. BE ka lehtësuar dhe ka ndërmjetësuar. BE është aty për t’u siguruar që propozimet e palëve të jenë përbrenda frymës dhe formës BE-së. Ata nuk bëjnë propozime. Ata kujdesen që propozimet e palëve të jenë të tilla që nuk i kalojnë kornizat evropiane. Pala serbe nuk ka sjellë propozim por kushtëzim”, është shprehur Kurti.