Kroacia shpall “non grata” tre politikanë nga Mali i Zi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar të enjten përmes një note Malin e Zi drejtuar ambasadës së këtij vendi në Zagreb, se ka shpallur kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiç, deputetin Millan Knezheviç dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiç, persona të padëshirueshëm.
Zagrebi zyrtar spjegoi se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të, siç u tha, abuzimit të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.
“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, spjegohet në njoftim.