Kryemadhi: Do publikoj shkeljet ligjore të kryera nga organi i akuzës
Deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur këtë të hënë në SPAK para oficerëve gjyqësorë në zbatim të masës së vendosur ndaj saj “detyrim paraqitje”.
Pasi ka lënë ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Kryemadhi garantoi se do publikojë të gjitha shkeljet ligjore të bëra nga organi i akuzës.
Ajo theksoi se ka dokumentuar me fakte dhe prova një sërë shkeljesh ligjore dhe se qytetarët shqiptarë, sikurse ka theksuar ajo, do njihen me të kundërtën e atyre që ka informuar SPAK.
“Jam një individ që vendos të përballem me padrejtësitë që bëhen. Unë po bëj mbrojtjen time ligjore për pretendimet e SPAK ndaj meje. Kam konstatuar një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara nga organi i akuzës. Patjetër që do kundërshtohen me fakte, prova, argumente dhe do i vërtetojnë shqiptarëve të kundërtën e asaj që shkruhen. Do njiheni me të vërtetat e Monika këmbësores dhe satelitëve të Shqipërisë. Duroni dhe do informoheni për të gjitha. Në fund të fundit për të treguar sa i vërtetë është procesi dhe sa reale e sa qëndrojnë faktet. Fija që zbret në tokë jam unë”, deklaroi Kryemadhi, ndërsa sqaroi se nuk ka asnjë komunikim me ish-bashkëshortin e saj, njëherësh Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën, i cili aktualisht ndodhet në burg.