Kryemadhi i përgjigjet SPAK: Paratë për operacionin e tim biri. A e hetuat ndërhyrjen e djalit të Ramës?
Deputetja Monika Kryemadhi në një deklaratë për media ka komentuar njoftimin zyrtar të SPAK për akuzat ndaj saj dhe ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta (i arrestuar një ditë më parë).
Ndalur te shifra e publikuar nga SPAK për 106 mijë eurot e operacioneve të kryera nga Meta dhe Kryemadhi, kjo e fundit theksoi se Prokuroria e Posaçme nuk ka ruajtur sekretin hetimor dhe se ka shkelur ligjin.
Po ashtu, Kryemadhi kërkoi nga SPAK nëse ka hetuar Kryeministrin Edi Rama për operacionin që i ka kryer djalit të tij i cili ka qenë me tumor, se kush i ka paguar paratë, si janë paguar dhe ku është kuruar?
“Ndihem e fyer që SPAK gënjen në deklaratë që thotë 106 mijë euro operacione. Në moshën 6 vjeç fëmija im ëhstë operuar dhe mjekët I kanë dhënë një javë jetë nëse s’bëhej ndërhyrja. Ka bërë dhe dy operacione në 2013, 2015 dhe një vjet.
Ka bërë dhe Ilir Meta një oepracion shëndetësor në 2013, e kam paguar unë kesh (cash). Për çdo gjë që flitet aty Ilir Meta s’ka paguar as një shishe ujë. Është personazh që dhe sot po e pyete sa kushton një shishe ujë nuk e di.
Të më fali Matilda Makoçi, Gregor Rama dhe Edi Rama. A e ka deklaruar Rama operacionin e fëmijës së vetë kur e kishte me kancer, kush e ka paguar, ku e ka bërë dhe si e ka bërë? A e ka hetuar SPAK?
A do bëjë deklaratë Altin Dumani,Sotir Kllapi dhe Arben Kraja për hetimin e shërimit të djalit të Edi Ramës?”, deklaroi Kryemadhi.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg ndaj Ilir Metës dhe detyrim paraqitje për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
Sipas SPAK, janë dokumentuar disa episode ku Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.
SPAK shpjegon më tej se akuzat nisin që me atë të CEZ-DIA deri te ndikimi nga ana e Monika Kryemadhit te drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.