Kryeministri Edi Rama do të mbledhë të dielën Asamblenë Kombëtare të PS-së
Kryeministri Edi Rama, njëherësh dhe Kryetari i Partisë Socialiste do të mbledhë të dielën (17 mars) në Durrës, Asamblenë Kombëtare.
Në fokus të këtij takimi do të jenë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme si dhe rienergjizimi i strukturave të partisë.
Asambleja do i nisë punimet në orën 11:00, ku fjalën hapëse do e ketë kryeministri Edi Rama.
Gjithashtu, mësohet se në takim do vihet theksi te korrigjimi i mangësive të evidentuara si dhe anëtarësimet e reja.
Ndër të tjera pritet të miratohet udhëzimi për zgjedhjet e përgjithshme në parti, si edhe udhëzimi mbi kriteret përzgjedhëse të kandidatëve për delegatë të Kongresit të Partisë, bashkëkryetarët e Organizatë Socialiste dhe KS të Njësisë Administrative.
Në përfundim të fjalës së kryesocialistit Edi Rama, të deleguarit e qarqeve si dhe anëtarët e Asamblesë, do raportojnë për zbatimin e detyrave të ngarkuara.
Kujtojmë se, në takimin e fundit që kryeministri Edi Rama , ka kërkuar nga deputetët socialist dhe anëtarët e Asamblesë për të zhvilluar një fushatë për anëtarësimet e reja.