Kryeministri Kurti në Greqi: “Rusia dhe Serbia janë kërcënim”
Kryeministri Kosovës Albin Kurti kërkoi koalicion të shteteve demokratike kundër autokracive, siç janë Serbia e Rusia.
Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar nga “The Ekonomist” në Greqi, Kurti theksoi se momenti aktual, kërkon mbështetje të palëkundur për demokracinë dhe mbrojtësit e saj.
“Ne duhet të bashkohemi, si forcë që kundërshton elementet destabilizuese që përbëjnë një kërcënim të madh për demokracinë. Demokracia është një realitet konkret për ne, të tilla janë edhe kërcënimet e paraqitura nga autokracitë, kryesisht Serbia, të ndihmuara dukshëm nga aleanca e saj me Putinin.”
Kreu i qeverisë tha se më 24 shtator, agresioni ndaj Kosovës kulmoi me sulmin ndaj forcave të Policisë, duke vrarë një oficer nga radhët e saj. Kurti thekloi se është i gatshëm t’i zbatojë marrëveshjet e arritura nga dialogu në Bruksel, por sipas tij është Serbia, e cila heziton pasi përmbajtja e tyre përfshin njohjen “de fakto” të Kosovës.
Ndërsa gjatë kësaj të marte, presidenti serb Vuçiq ( Vuçiç ) duke iu përgjigjur mediave vendase tha se së shpejti do të shkojë në Bruksel për bisedime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, por për momentin tha ai nuk mund të flasë më shumë për këtë çështje. Sipas Vuçiq takimi do të jetë në përputhje me atë që uë diskutua me 5 përfaqësuesit e BE dhe SHBA gjatë vizitës së tyre të shtunën e kaluar në Kosovë e Serbi.
“Pas takimit në Bruksel do të kemi më shumë informacione” deklaroi presidenti Vuçiq duke theksuar se do ta mbrojnë Serbinë nga të gjitha masat e mundshme, por dhe nga dëmtimi i interesave kombëtare dhe shtetërore.