Kryeministri Rama i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në QSUT
Kryeministri Edi Rama i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare. Rama po kryen operacion të hernies inguinale, dhe pritet që natën e sotme ta kalojë në mjediset e QSUT.
Ndërhyrja u krye nga ekipi mjekësor nën drejtimin e Arben Gjatës.
“Kryeministri Edi Rama aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale.
Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Vetë kryeministri e njoftoi ndërhyrjen kirurgjikale një muaj më parë teksa teksa po vizitonte hapjen e spitalit ditor brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që… i kam mësuar edhe emrin…
Se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbollit, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, ka deklaruar Rama.
Ky është operacioni i dytë që kryeministri Rama i nënshtrohet në QSUT. Në prill të 2023-shit, Rama hoqi apendecitin me po të njëjtët mjekë.