Kryeministri Rama në Paris, nderohet me ceremoninë zyrtare të mbajtur në Oborrin e Nderit të “Les Invalides”
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Francë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama u nderua në ceremoninë e mbajtur në Oborrin e Nderit të “Les Invalides”, në Paris, një kompleks i mirënjohur muzeal dhe monumentesh, të lidhura me historinë ushtarake e Francës.
Kryeministri Rama dhe bashkëshortja u pritën në portikun e hyrjes nga Ministri për Europën Jean-Noël Barrot dhe nga Guvernatori Ushtarak i Parisit, Gjeneral korparmate Christophe Abad. Kreu i qeverisë shqiptare pritet të zhvillojë edhe një takim “kokë më kokë” me Presidentin francez, Emanuel Makron (Emmanuel Macron). Më pas, dy liderët do të zhvillojnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Më pas Rama do të zhvillojë edhe takime në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, ndërsa po ashtu do të zhvillohet edhe mbledhja inauguruese e Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.
Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar janë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.