Kryeministri Rama në Spanjë, takim kokë më kokë me Mbretin Felipe VI
![Rama në Spanjë, takim kokë](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2025/02/Rama-ne-Spanje-takim-koke.jpg?fit=640%2C426&ssl=1)
Kryeministri Edi Rama është pritur këtë të premte (7 shkurt) në një takim kokë më kokë nga Mbreti Felipe VI i Spanjës.
Takimi mes tyre u mbajt në rezidencën private të mbretit, Zarzuela.
Kreu i qeverisë shqiptare prej ditës së djeshme ndodhet në një vizitë zyrtare në Spanjë me rastin e pjesëmarrjes në ceremoninë e Çmimit Universal Spanjoll (“Espanol Universal Award”), një çmim që u jepet personave që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në promovimin dhe përmirësimin e kulturës, gjuhës dhe trashëgimisë spanjolle në mbarë botën.
![](https://i0.wp.com/rtsh24.s3.eu-central-1.amazonaws.com/2025/02/6334788ff7f64e939eb18974532ad196.jpeg?w=640&ssl=1)
Vetë kryeministri Rama ka publikuar pamje nga takimi i mbajtur me Mbretin Felipe VI, ndërsa bën me dije se pas pak do të nënshkruhet marrëveshja për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, i cili do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës
“Në mikpritjen e bukur edhe për nder të Shqipërisë, organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI, me anëtarët e bordit të “World Jurist Association”, organizata prestigjioze ndërkombëtare e juristëve, gjyqtarëve, akademikëve dhe profesionistëve të ligjit nga e gjithë bota, në vigjilje të nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, i cili do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.