Kryeministri Rama: Shqipëria në BE përpara 2030

Kryeministri Rama

Kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kongresin e PS, vuri theksin në ndryshimet që ka pësuar vendi në këto vite, reforma në drejtësi, tërmeti, negociatat me BE-në, situata në kampin e opozitës, marrdhëniet me fqinjët, si dhe për perspektivën evropiane që e pret Shqipërinë.

Sipas tij, Shqipëria do të jetë në BE edhe përpara 2030, një kufi ky i vendosur nga krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, artikuluar në disa takime dhe samite evropiane.

Kryeministri Rama, në Kongresin e PS-së, bëri të qartë se qeveria socialiste nuk do të ndryshojë qëndrim për çështjen “Beleri”, pavarësisht presioneve të Greqisë.

“Ne do shkojmë në Bruksel për mbledhjen e KE-së, me kokën lart për të gjitha rezultatet e nënvizuara qartë në raportin e kongresit amerikan dhe të përshëndetura nga 26 vendet anëtarë të BE-së.  Vetëm një shtet e ka lënë ende pezull opinionin e vet dhe jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike dhe ai vend është Greqia. Historia dihet. Qëndrimi as nuk ndryshon deri në 13 dhjetor dhe as përtej 13 dhjetorit. Ky qëndrim nuk do të ndryshojë.  Jo sepse ne jemi kokëfortë, por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrimin është shumë më kokëfortë se ne. Unë nuk do të besoj se deri në 13 dhjetor,  fqinjët tanë, do ti venë ‘tapën e vetos’, shishes së hapur me aq përkushtim punë e profesionalizëm nga një skuadër e më shumë se 100 vetave në të gjithë sistemin e shtetit tonë që e ka përfaqësuar me dinjitet e seriozitet Shqipërinë në tryezat e dialogut për skanimin e plotë të gjendjes së vendit duke na nderuar të gjithëve. Në rast se kjo ndodh unë nuk do kthehem nga Brukseli i mërzitur, asnjë fije, ju siguroj. Do kthehem edhe më krenar edhe më i motivuar për të vazhduar së bashku punët e mëdha të shtëpisë tonë të përbashkët edhe më i bindur se një absurditet i tillë s’do ta vonojë asnjë ditë procesin tonë në BE. Madje edhe më i vendosur për të përshpejtuar këtë proces për ta bërë gati Shqipërinë për në BE edhe më parë sesa Shqipëria të jetë gati.”, tha Rama.

Ndërvendosja në legjislacionin shqiptar të 280 mijë faqeve të masave ligjore të BE-së

Rama, duke u ndalur më tej te anëtarësimi i Shqipërisë në BE, në Kongresin e  PS, ka treguar se ka bashkëpunuar me Mira Muratin, drejtuese e Kompanisë ChatGPT, për të bërë të mundur rivendosjen e 280 mijë faqeve me masa ligjore të BE-së në legjislacionin shqiptar.

Kryeministri tregoi se kërkesa e BE-së për harmonizimin e legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE-së, do të bëhet përmes ChatGPT, duke eliminuar, sipas tij, një armatë me përkthyes dhe një batalion me jurist dhe të shpenzojmë miliona euro.

“E kërkoj Mira Muratin i ndrojtur nga një ndrojë që nuk më karakterizon. Pas një komunikimi telefonik i kërkoj ndihmë për ta bërë gati më shpejt Shqipërinë për anëtarësimin evropian. Ajo qesh se mbase kujtoi se unë po bëja humor, por thotë ‘po të dëgjoj’. Dhe unë e pyes se a është e mundur që në vend se ne të rekrutojmë një armatë me përkthyes dhe një batalion me juristë dhe të shpenzojmë miliona euro për të bërë gati në shqip malin me masat ligjore të BE, ta bëjmë këtë përmes ChatGPT? E dëgjoi me kujdes dhe më përgjigje ‘më duket e mundur’. Kështu nisi puna me Mirën dhe një skuadër të përbashkët, dhe sot dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel, kur të mbaroj mbledhja bashkë me dilemën greke, do ua lë si kartolinë të Vitit të Ri të Shqipërisë të gjithë liderëve të BE-së, rezultatin e testit të suksesshme të modelit shqiptar për ndërvendosjen në legjislacionin tonë të 280 mijë faqeve masa ligjore të BE. Asnjë cic- mic ballkanik apo gërr gërr perëndimor nuk e vonon dot Shqipërinë në këtë proces themelor pune për anëtarësimin në BE. Shqipëria jo vetëm që do ta bëjë përafrimin e legjislacionit, por do ta bëjë më shpejt se më i shpejti që e ka bërë më parë. Por do të ndihmojë bujarisht dhe Kosovën. Askush s’e pengon që të nisë ndërvendosjen e të gjithë trupit ligjor të BE”, tha Rama.

Sifdat e qeverisjes së PS

Rama ka nënvizuar dhe sfidat kryesore me të cilat janë përballur socialistët gjatë qeverisjes.

“Sot kemi shpalosur prioritetet tona kryesore të zhvillimit për ta ngjitur Shqipërinë në majën e lartë drejtë si cilës u nisëm 10 vite më parë. Morëm në kurriz borxhe, krim të organizuar, varfëri, por edhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit. E morëm në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin Shqipëri, dhe Shqipëria goditej sa herë zihej me gojë, qoftë në institucionet ndërkombëtare, qoftë në mediet e botës së lirë. Kemi luftuar me mijëra plagë të trashëguara dhe të fatkeqësive të reja, që na sprovuan njëra pas tjetrës nga një tërmet shkatërrimtar në një pandemi marramendëse”, theksoi Rama.

Sipas tij, nëse do ishte PD-ja përballë këtyre sfidave, sot do ishim në humnerë, pa asnjë ekzagjerim të ngjashme me humnerën e 1997.

Rama theksoi se vetëm falë PS të treja furtunat na gjetën në këmbë dhe të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm të këtij vendi me forcën dhe dinjitetin e një shteti që ende nuk ua plotëson dot shumë gjëra qytetarëve, por ama nuk i lë vetëm në momentet e vështirësive të mëdha.

“Sikur tërmeti të na kishte gjetur me borxhet mbetëse të vitit 2013, do ishte katastrofë. Imagjinojeni sikur pandemia të na kishte gjetur me shërbimet e urgjencës së 2013? Apo pa investime digjitale, sesi do të kishin shkuar gjërat. Merrni me mend sesi egërsi e luftës që ngriti çmimet në qiell të karburanteve tëbna kishte gjetur me gjysmën e miletit që nuk paguante dritat? Sot Shqipëria është një vend krejt tjetër, i cili çmohet si kurrë më parë për përparimet e dukshme që ka bërë. Ka një koherencë kombëtare më të forte se asnjëherë që ecën çdo ditë para dhe ulet në çdo tryezë të komuniteti ndërkombëtar, jo vetëm duke dhënë respect, por duke marrë të njëjtin respekt nga të gjithë. Unë besoj se Shqipëria nuk është aspak jashtë rrezikut të rikthimit mbrapa nëse ne nuk do të fokusohemi për angazhimin e përbashkët tek krijimi i garancive të progresit pa kthim dhe pa ndalim.”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Rama: Lufta kundër korrupsionit kërkon një drejtësi që ndëshkon keqbërësit e veshur me pushtet

Kryeministri, në fjalën e tij, theksoi se drejtësia kërkon një mendësi evropiane dhe se luftën kundër korrupsionit nuk mund ta bëjë vetëm drejtësia, por edhe vetë qeveria.

Sipas tij, karrigia e pushtetit është një “kafshë e egër”, që po e le të të hyjë në trup, të mbush xhepin, por të merr mendjen. Sipas Ramës, kush harron se ajo karrige është e popullit dhe e shtetit, meriton çdo ndëshkim që parashikon ligji. 

“Për ata që harrojnë se për çfarë e kanë këtë karrige dhe kur i kap rrjeta e drejtësisë presin ndihmë nga partia apo bëjnë viktimën e konspiracioneve, është detyrë dhe përgjegjësi e tyre për ta mbajtur”, tha Rama.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit kërkon një drejtësi që ndëshkon keqbërësit e veshur me pushtet.

“Për ta mbajtur karrigen me dinjitet është nderi yt, por paralelisht me këtë dhe pavarësisht se sa individë të korruptuar do të ndëshkohen nga drejtësia e re, korrupsioni do të mbetet një problem jo i vogël, sa kohë modernizimi i sistemeve nuk do të arrijë në nivelin e duhur të transformimit. Këtë vit u mbyllën e edhe sportelet e turpit në PS që ishin sportelet e hipotekave”, tha ai.

Rama: Reformën në Drejtësi në Shqipëri nuk e importoi SHBA dhe Evropa, por e bëri Partia Socialiste

Rama, në fjalën e mbajtur në Kongresin e PS-së, se Reformën në Drejtësi në Shqipëri nuk e importoi SHBA dhe Evropa, por e bëri Partia Socialiste.

Kryeministri theksoi se garanci për pakthyeshmërinë e progresit të madh që ka nisur në vend është që të gjitha planet, projektet dhe punët në çdo sektor të mbështeten në themelet e një drejtësie të drejtë, funksionale e të barabartë për të gjithë.

Kjo, sipas tij, “duke garantuar meritokracinë dhe lirinë dhe barazinë e konkurrencës”.

Rama theksoi se Reforma në Drejtësi është reforma më e thellë, më e vështirë dhe e ngatërruar në historinë shtetit shqiptar për ndërtimin e shtetit modern europian të shqiptarëve.

Por sipas tij, “ka një përpjekje për ta treguar si produkt të imponuar importi nga SHBA, apo BE”.

“Asgjë më të pavërtetë se kjo nuk ka. Reformë në Drejtësi pa PS-në dhe fitoren tonë në 2013 nuk bëhej. Nuk ka angloamerikanë apo europerëndimorë që e bënte dot në Shqipëri. Ambasadat e SHBA-së dhe BE-së nuk erdhën në Shqipëri në vitin 2013, këtu ishin. Nevojën për një reformë në drejtësi amerikanët e europianët nuk e zbuluan në 2013”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nëse Reforma në Drejtësi do të ishte produkt i detyrueshëm për vendet që duhen të anëtarësohen, BE dhe SHBA do ta kishin eksportuar edhe në vendet e tjera të rajonit.

Rama tha sot se “zgjimi i drejtësisë sot, duke vënë përpara ligjit njerëz me pushtet ka vetëm një arsye, vullnetin e Partisë Socialiste për të ndërmarrë reformën në drejtësi”.

Sipas tij, ende drejtësia nuk është aty ku duhet, një drejtësi evropiane.

“Problemi i madh, që është i tëri sa një mal përpara nesh dhe është se çfarë duhej të bëjmë ne që ta afrojmë ditën që drejtësia në Shqipëri të jetë e tëra drejtësi e drejtë, drejtësi e pavarur, e aftë dhe e ndershme me të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë shqiptarët”, tha Rama gjatë Kongresit të Partisë Socialiste.

Sipas tij, “gjithçka po ndodh sot me hetimin dhe vendosjen në akuzë, apo ndëshkimin penal të një sërë individësh me profil të lartë në nivelin qendror të politikës, është vetëm zgjimi i një shpirti drejtësie të fjetur prej më shumë se 100 vitesh në koma në në tokën e shtetit shqiptarë, por nuk është drejtësia e evropiane që duam për Shqipërinë e fëmijëve tanë”.

“Ky zgjim ka vetëm një arsye, kalimin e fuqisë sonë si forca më e madhe politike e vendit, që zotëron pushtetin ekzekutiv dhe udhëheq rrugën e ndërtimit të shtetit së drejtës tek një strukturë e re që lindi nga reforma në drejtësi, që përbëhet nga një organ special akuze, dhe nga një organ special gjykimi, GJKKO-ja. Vetëm kjo është arsyeja. Është shumë pak. Por është jashtëzakonisht shumë në aspektin e moralit politik dhe jashtëzakonisht shumë në vullnetit politikë, që një pushtet ekzekutiv shqiptarë të transferojë të gjithë fuqinë e vetë në raport me gjithçka që ka të bëjë m drejtësinë tek  një strukturë e re e pavarur prej tij është historike, por s’është drejtësia evropiane. Ky është voluntarizmi i PS së Shqipërisë. Dhe nëse ne mendojmë se bëmë tonën, ky progres s’ka asnjë garanci”, tha Rama.

“U deshën vetëm disa vite që kjo strukturë ti zgjaste duart e pavarura drejt pushtetit të politikës, duke vënë përpara ligjit të individëve që as nuk mund të imagjinohej që të preknin nga drejtësia që nga viti 1912. Dhe patjetër, që kjo është një domosdoshmëri absolute për të ecur përpara drejtë mirëqeverisjes dhe për të krijuar drejtësinë evropiane, prandaj ne do ta mbështesim pa kushte këtë krijesë të sapo lindur. Në jetën e një njeriu çdo vit ka një peshë të veçantë, por është e rëndësishme, por në procesin drejtësisë, politikës, një vit është një ditë dhe s’mjaftojnë disa ditë për të kaluar nga një fazë shekullore pa liri, pa demokraci, në një fazë të funksionimit të shtetit të së drejtës si një orë e përpiktë”, tha Rama.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.