Kryeministri Rama: Shqipërisë i është hapur dera e BE, lëkundjet më 11 maj do ishin fatale për vendin

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kërkon adaptimin e plotë të strukturave legjislative dhe rregullatore të BE-së. Ai theksoi se ky është një angazhim i madh që përfshin përkthimin, adaptimin dhe miratimin e një sasie të konsiderueshme dokumentesh – rreth çerek milionë faqe, duke i referuar kështu angazhimit të Shqipërisë për t’u përshtatur me standardet e BE-së.
Rama theksoi se Bashkimi Evropian është shumë serioz dhe ka një mekanizëm të fortë për monitorimin e progresit të çdo vendi që kërkon të bëhet anëtar i BE-së.
“Ky mekanizëm është i ftohtë dhe nuk toleron as lojëra politike apo komente në rrjetet sociale; fokusi është vetëm tek rezultatet konkrete.
Për Shqipërinë, ky është një moment i rëndësishëm transformimi. Shteti shqiptar po ndërmerr hapa të mëdhenj për të përmbushur kërkesat e BE-së dhe për të krijuar një administratë të gatshme për të hyrë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Kryeministri.
Rama ka nënvizuar se ky është një proces që nuk mund të humbasë asnjë ditë, pasi çdo vonesë mund të shkaktojë shtyrjen e hapave dhe mbylljen e mundësive për anëtarësim.
Kryeministri u shpreh se 11 maji është një datë kyçe dhe se vota e popullit shqiptar në këtë datë është shumë e rëndësishme për të ruajtur kursin e integrimit dhe për të siguruar që Shqipëria të mos devijojë nga rruga drejt Bashkimit Evropian. Pavarësisht gabimeve të mundshme që mund të ketë bërë qeveria, Rama theksoi se vetëm ky proces mund të çojë Shqipërinë në destinacionin e saj.
Në lidhje me pasaportën europiane, Kryeministri tha se Shqipëria ka arritur një fazë transformimi të dukshëm, duke u respektuar dhe besuar në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi se vendi po shfaqet si një destinacion turistik në rritje, me një zhvillim të shpejtë që po i jep Shqipërisë një pozicion të fortë ndërkombëtarisht.