Categories: LajmePolitikëRajoni

Kryeministri Rama: Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership

Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar homologun e tij kosovar Albin Kurti, lidhur me pranimin e propozimit të BE-së për Asociasonin. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X (Twitter) Rama shkruan se “ky është një moment historik”.

“Përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve.”, shkruan Rama.

Sipas tij, rajoni i Ballkanit meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe jo konflikte, lojëra fajësimi dhe prapakthime që na dëmtojnë të gjithëve.

Takimi Kurti- Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në kuadër të një samiti të BE-së në Bruksel. As Kurti, as Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve.

Në lidhje me mundësinë e ndonjë takimi tjetër gjatë ditës, burime të BE-së thanë se “asgjë nuk përjashtohet”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në kuadër të samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Kurti dhe Vuçiq u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime ishte i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar.

Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.

Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se Serbia është e gatshme të bisedojë për planin, por pranoi se “takimet e planifikuara nuk do të jenë të lehta”.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si “rrugën e vetme për arritjen e një marrëdhënieje paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë”. 

Ku qëndron dialogu?

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim. Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”.

Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë.

Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe pse ka marrëveshje nga viti 2013 për të, zyrtarët në Prishtinë thonë se e tillë siç është, do të ndikonte keq në funksionalitetin e shtetit dhe kanë dalë me disa propozime të tjera për rregullimin e çështjeve të komuniteteve pakicë.

Por, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja e rritën së voni trysninë mbi Kosovën për të formuar Asociacionin.

Derisa nga SHBA-ja thonë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për BE-në çështja se si bëhet Asociacioni dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Ambasadorja e Austrisë vizitë në universitet – Fokusi i takimit, forcimi i bashkëpunimit me universitetet austriake

Ambasadorja e Austrisë në vendin tonë, Monica Zach, ka zhvilluar një vizitë në universitetin e…

1 min ago

Java Evropiane e Mobilitetit – Beci: Shkodrës do t’i shtohen hapësira të tjera për përdoruesit e biçikletave

Java Evropiane e Mobilitetit në Shkodër është shënuar me një sërë aktivitetesh të dedikuara promovimit…

4 mins ago

Mbledhja e Këshillit të Qarkut Shkodër – Ndou: Shërbimi ndaj komunitetit mbetet prioritet

Këshilli i Qarkut Shkodër zhvilloi mbledhjen e radhës ku me shumicë votash miratoi rendin e…

6 mins ago

Belisha: Vllaznia, me meritë në krye – Ish kapiteni komplimenton shkodranët. Vemendje ndaj Bylisit në fundjavë!

Vllaznia po kalon një formë shumë të mirë sportive duke kryesuar me meritë kampionatin e…

9 mins ago

Megaoperacionet “Territor i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”-  Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike në Hajmel

Në  kuadër të megaoperacioneve kombëtare të koduara “Territor i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”, shërbimet…

29 mins ago

Kërkimi shkencor- Nënshkruhet Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF )…

2 hours ago

This website uses cookies.