Kryesia e PL-së zgjedh 2 sekretarë të rinj për pensionet dhe sportin
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta prezantoi të enjten dy drejtues të rinj të Partisë së Lirisë, të zgjedhur mbrëmë nga kryesia e kësaj partie, për dy prioritete, pensionet dhe sporti.
Kreu i PL-së prezantoi Ramadan Kondin, si sekretar për çështjen e pensioneve, që, siç u shpreh Meta, “është një prioritet madhor për Partinë e Lirisë”.
“Për këtë kemi një program shumë të qartë në të gjithë elementët e tij, për sa takon aspektit institucional, ligjor, por dhe faturave financiare përkatëse”, tha Meta
Kreu i PL-së shtoi se Kondi ka të gjithë eksperiencën, formimin, por mbi të gjitha eksperiencën, për të kontribuar dhe për të treguar lidership në këtë prioritet madhor dhe që, u shpreh ai “mendoj që është problem për çdo familje shqiptare, jo vetëm për 700 mijë pensionistë në vendin tonë”.
Së dyti, Meta prezantoi edhe Sekretarin e Partisë së Lirisë për Sportet, Adriatik Hoxha.
“Sporti është një tjetër prioritet madhor për PL”, u shpreh Meta.
“Për këtë kemi zgjedhur, një rekordmen, një kampion ende në fuqi, siç është Adriatik Hoxha. Një kampion i jashtëzakonshëm në fushën e atletikës. Dhe përveç eksperiencës në fushën e sportit, ka një eksperiencë të mirë në fushën e ligjeve, të cilat janë shumë të rëndësishme për t’u parë, në përputhje me politikat tona për sportet”, tha Meta.