Kryetari Beci pret ministrin Aliu / Në fokus projekti i hekurudhës Kosovë- Shqipëri dhe përfshirja e Shkodrës
Ministri i Infrastrukturës i Kosovës Liburn Aliu, së bashku me deputeten Mimoza Kusari janë pritur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Në qendër të këtij takimi ka qënë linja hekurudhore Shqipëri – Kosovë, ku tashmë siç dihet ky investim madhor do të kalojë nga Shkodra.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, në fjalën e tij, u ndal tek rëndësia e linjës hekurudhore dhe kthimin e Shkodrës në një qendër të rëndësishme rajonale si një portë e rëndësishme për vendin që kthehet nëpërmjet kësaj linje hekurudhore .
Për ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke u ndalur tek marrëdhëniet mes dy vendeve, theksoi se Shkodra jo më kot ka qënë një qendër dikur që po rijetëzohet dhe merr formën e saj sërish.
E pranishme në këtë takim ka qënë edhe Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, e cila gjatë diskutimeve e ka cilësuar këtë nyje të re lidhësese mes dy vendeve që kalon në Shkodër një prioritet të qeverise shqiptare. Pas takimit, në zyrën e kryebashkiakut Beci, të gjithë së bashku inspektuan nga afër stacionin hekurudhor të Mjedës, që do kthehet në një pikë lidhesë e rëndësishme e linjës hekurudhore Shqipëri – Kosovë. Hekurudha Shqipëri – Kosovë përllogaritet të ketë një kosto prej 700 milion euro, ndërkohë që kalimi i kësaj linje nga Shkodra, ka qënë një nga temat e dakordësuara nga dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës duke e kthyer Shkodrën në një pol të rëndësishëm rajonal në të gjithë Ballkanin për rëndësinë që do të marrë kjo linjë hekurudhore.