Kryqi i Kuq: 8 mijë persona janë evakuuar nga një prej spitaleve të Gazës
Kryqi i Kuq ka bërë të ditur se afro 8 mijë persona të zhvendosur janë evakuuar nga spitali kryesor i rrethuar në qytetin Han Junis në jug të Gazës, ku ata ishin strehuar.
“Situata humanitare në Rripin e Gazës është përtej katastrofës”, tha Tommaso Della Longa, zëdhënës i Federatave Ndërkombëtare të Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Sipas tij, spitali Al-Amal, që drejtohet nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze është zbrazur pas rrethimit të gjatë nga forcat izraelite.
“Tetë mijë persona të zhvendosur brenda vendit, që ishin strehuar te spitali ynë i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Han Junis… u larguan dje nga spitali”, shpjegoi ai.#
Tommaso Della Longa u shpreh se spitali Al-Amal ka qenë nën rrethim për më shumë se dy javë dhe përreth tij ka pasur luftime të ashpra.
Spitali është goditur disa herë nga sulmet ku javën e kaluar u vra një anëtar i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, ndërsa afro 100 të moshuar, të plagosur dhe pacientë të palëvizshëm janë ende brenda spitalit, ku gjenden edhe 100 pjesëtarë të stafit dhe vullnetarë.
Ndërkaq, Izraeli vijon ofensivën e tij në Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi shpjegoi se gjendja në spitalin Nasser, që gjendet afër atij Al-Amal, është po ashtu alarmuese.