Kthimi i Gjergj Kastriotit në atdhe dhe fillimi i qëndresës antiosmane
Më 3 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u rikthye në atdhe. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë datë e cila hapi një faqe të re në historinë e qëndresës shekullore antiosmane.
Zoti i Arbërisë, ashtu siç Gjergj Kastrioti u vetëquajt, la fushëbetejën e Nishit, për t’iu drejtuar Krujës në krye të 300 kalorësve. Me të mbërritur, u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve.
“Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj”, citohet (“Historia e Skëndebeut” nga Marin Barleti) të ketë thënë heroi ynë kombëtar duke iu drejtuar turmës entuziaste, më 28 nëntor 1443, kur për herë të parë në histori, në Krujë u ngrit flamuri kuq e zi.
Që prej këtij viti e gjersa u shua, qëndroi i pathyeshëm në krye të Shqipërisë në luftën 25-vjeçare kundër osmanëve. Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historiografisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.