Categories: BotaLajme

Kthimi i ish-kryeministrit Cameron në qeverinë britanike, analistët komentojnë ndryshimet

Ish-kryeministri britanik, David Cameron, është rikthyer në qeveri në një zhvillim të papritur, duke marrë drejtimin e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar. Ndryshimet në qeveri pasuan një fundjavë kaotike në kryeqytetin britanik. Analistët thonë se ndryshimet në kabinetin e kryeministrit kanë për synim tërheqjen e elektoratit që sipas sondazheve aktualisht mbështet më shumë Laburistët në opozitë.

Shtatë vjet pasi u largua nga posti i kryeministrit, pas humbjes së referendumit për tërheqjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, ish-kryeministri David Cameron është rikthyer në qeveri, duke marrë drejtimin e diplomacisë pas një riorganizimi të kabinetit të hënën.

“Është një kohë kur vendi ynë po kalon sfida të vështira. Konflikti në Lindjen e Mesdhe dhe lufta në Ukrainë”, tha zoti Cameron.

Lufta në Gazë vazhdon. Në postin e kryeministrit, në vitin 2010, zoti Cameron e quajti Rripin e Gazës “një kamp burgimi”, pavarësisht se Londra mbajti një aleancë të ngushtë me Izraelin.

“Disa nga konfliktet në Lindjen e Mesme nuk kanë ndryshuar. David Cameron mbahet mend për ndërhyrjen në Libi, që nuk ishte suksesi më i madh”, thotë Bronwen Maddox me “Chatham House”.

Profesori Anand Menon me “King’s College” thotë për Zërin e Amerikës se politika e jashtme britanike nuk ka gjasa të ndryshojë.

“Është një sinjal kryesisht për audiencën vendase,” deklaroi ai.

Në vitin 2015, kur drejtonte Britaninë, zoti Cameron e joshi presidentin kinez me një vizitë shtetërore luksoze.

“Kjo vizitë shënon fillimin e një epoke të re. Disa e kanë quajtur ‘epoka e artë’ e marrëdhënieve midis Britanisë dhe Kinës,” kishte deklaruar zoti Cameron.

Që nga ajo kohë, marrëdhëniet Britani-Kinë janë përkeqësuar mes tensioneve të sigurisë dhe tensioneve gjeopolitike në rritje, thotë profesori Menon.

“Epoka e artë ka mbaruar, apo jo? Mendoj se qëndrimi, veçanërisht brenda konservatorëve në parlament, është ngurtësuar në mënyrë të konsiderueshme ndaj Kinës”, shtoi zoti Menon.

Zoti Cameron zëvendëson ministrin James Cleverly – i cili merr rolin e sekretarit të brendshëm, duke zëvendësuar zonjën Suella Braveman, e shkarkuar të hënën.

Ndryshimet erdhën pas një shkrimi në gazetë, ku zonja Braveman e akuzoi policinë për njëanshmëri ndaj së majtës gjatë protestave pro-palestineze, të cilat ajo i quajti “marshime të urrejtjes”. Artikulli nuk ishte miratuar nga kryeministri Rishi Sunak.

Të shtunën, të paktën 300 mijë njerëz morën pjesë në një protestë pro-palestineze në Londër duke bërë thirrje për armëpushim. E djathta ekstreme reagoi me protesta të dhunshme, ndërsa policia bëri të paktën 120 arrestime.

Raportet flasin për një rritje të ndjeshme të sulmeve antisemite dhe islamofobike që nga shpërthimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.

“Nxjerr në pah ndarjet ekzistuese mes palëve, çka e bën më të mundshme që kjo lloj gjëje të shpërthejë përgjatë vijave politike partiake. Në rastin e konfliktit në Gaza, ndarja shfaqet në një formë më të mprehtë, duke patur parasysh dhunën e lartë nga të dyja palët në këtë luftë të tmerrshme”, thotë profesori Menon.

Analistët thonë se riorganizimi i kabinetit nga kryeministri është përpjekje për një apel më të gjerë të konservatorëve në pushtet, pasi Laburistët e opozitës kryesojnë në sondazhe ndërsa Britania shkon në zgjedhje përpara fundit të vitit të ardhshëm. VOA

RTSH Shkodra

Recent Posts

“Studio Sport” në RTSH Shkodra/Futbolli dhe lojrat me dorë në analizën e të ftuarve në panel

Si zakonisht, mbrëmja e së mërkurës sjell në ekranin e RTSH Shkodra, emisionin sportiv, Studio…

15 hours ago

Promovohet “Ose ne…”/Libri i autores Manjola Lloja u promovua në hollin e RTSH Shkodra

Në Radio Shkodra do të niste hapat e parë të një rrugëtimi të gjatë në…

15 hours ago

PD përkujton Ditën e Flamurit/Deputetë, të zgjedhur vendorë dhe drejtues lokalë vendosin kurora tek shtatorja e Luigj Gurakuqit

Ndërsa në sheshin para bashkisë Shkodër është celebruar Dita e Flamurit me ngritjen simbolike të…

15 hours ago

Koncerti me motive kombëtare/Ansambli “Shota” performoi këngë dhe valle tradicionale në teatrin “Migjeni”

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova dhuroi momente elektrizuese për publikun shkodran…

15 hours ago

Irfani, flamurtari shkodran/Me simbolin kombëtar ka kaluar momente të bukura dhe të vështira

Çdo shqiptar i ka të shenjta simbolet kombëtare. I tillë është edhe flamuri kuqezi për…

15 hours ago

Ceremonia e ngritjes së Flamurit/ Autoritetet fetare në Shkodër, mesazh bashkimi për shqiptarët

Si çdo vit, në sheshin para bashkisë Shkodër, është zhvilluar ceremonia zyrtare e festimit të…

15 hours ago

This website uses cookies.