“Kultura” në Shkodër pret drejtuesit/ Proçesi i përzgjedhjes së drejtuesve ka hyrë në fazën përfundimtare
Disa prej institucioneve të kulturës në varësi të Bashkisë së Shkodrës kanë hyrë në një fazë ristrukturimi përsa i përket drejtimit të tyre. Ky proçes ka hyrë në fazën finale për Teatrin “Migjeni”, Bibliotekën “Marin Barleti” dhe QKF “Kujtim Alija”. Sipas njoftimit të Bashkisë Shkodër janë përcaktuar kandidatët që janë kualifikuar në bazë të dokumentacionit të paraqitur nga Komisioni i Vlerësimit të tyre.
Sa i përket pozicionit Drejtor i Degës Ekonomike të Kulturës rezulton vetëm një kandidate dhe ajo është Ledia Dushi, një shkrimtare e njohur e Shkodrës dhe përtej me disa botime të saja në dialektin gegë, kërkuese shkencore si dhe ka dhënë kontributin e saj në Bashkitë e Shkodrës dhe Tiranës në pozicione të ndryshme të lidhura me kulturën ndërsa së fundmi ishte skenariste e edicionit të 61-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër.
Përsa i përket Teatrit “Migjeni”, kandidatët e zyrtarizuar në këtë fazë janë tre: Albri Brahusha, Arian Çuliqi dhe Sara Smaja.
Kandidati i parë Albri Brahusha, prej i është përkushtuar fushave të gazetarisë dhe letërsisë. Ai është autor i disa dramave, të vëna në skenën e teatrit “Migjeni” gjithashtu edhe autor i disa librave si: vëllime me tregime dhe romane.
Kandidati i dytë është regjisori i njohur Arian Çuliqi, autor i disa telekomedive por edhe aktor në disa prej tyre. Çuliqi njihet për kontributin e tij si regjisor në RTSH ndërsa disa shfaqje të tij janë vënë në skenë edhe në teatrin “Migjeni” ku më e fundit ishte “Big Brother Vip Shkodra 2”.
Kandidatja tjetër për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm kulturor të qytetit është Sara Smaja, regjisore dhe aktore, me angazhime të vazhdueshme në Shkodër dhe Tiranë. Ajo rrjedh nga prindër me përvojë të gjatë në këtë fushë siç janë: aktorja Merita Smaja dhe regjisori Fatbardh Smaja.
Në pritje të pozicionit të drejtuesit është edhe QKF “Kujtim Alija” ku në garë janë: Anton Kaftalli, instrumentist dhe muzikant i spikatur i qytetit dhe aktualisht drejtues i shkollës artistike “Prenkë Jakova” ndërsa kandidatja tjetër është këngëtarja e mirënjohur Orjeta Kelaj, pjesëmarrëse e rregullt në disa nga veprimtaritë kulturore të qytetit, pjesë e festivaleve të ndryshme, mes të cilave edhe ai i këngës në RTSH.
Sipas njoftimit të shpallur nga Bashkia Shkodër kandidatët duhet të dorëzojnë platformën e drejtimit të këtyre institucioneve brenda datës 22 shtator.