Kumbaro në Samitin Botëror të Klimës, takim me homologen e Emirateve të Bashkuara
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro po merr pjesë në Samitin Botëror të Veprimit të Klimës COP28, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjatë pjesëmarrjes në samit, Kumbaro u takua me ministren e Ndryshimeve Klimatike dhe Mjedisit të Emirateve të Bashkuara Arabe Mariam Almheiri dhe Kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen.
Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro tha se “është kënaqësi ritakimi me ministren e Ndryshimeve Klimatike dhe Mjedisit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mariam Almheiri, këtë herë si organizatore e samitit global të klimës, dhe Kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen”.
“Me dy zonja në krye të punëve të mjedisit që drejtojnë politikat globale, ku edhe Shqipëria merr pjesë me modelin e saj që vlerësohet gjithmonë e më shumë”, tha Kumbaro.
Në samit merr pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare pune në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Samiti Botëror i Veprimit të Klimës, COP28 lehtëson shkëmbimin e praktikave dhe inovacioneve më të mira nëpër sektorë jetikë thelbësorë për përpjekjet për dekarbonizimin në fushat e energjisë, transportit, ndërtesave, industrisë, financave dhe natyrës.
Samiti shërben si një platformë për premtime, angazhime dhe plane veprimi të përparuara në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Parisit.