Kumbulla: Tifozët na mbështesin kudo, në Europian, në Gjermani por edhe në shtëpi në Tiranë!
Marash Kumbulla u shpreh se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e vështirë, por theksoi se Kombëtarja do të futet në fushë vetëm për fitore. Mbrojtësi kuqezi tregoi se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe se ekipi është gati për ndeshjen ndaj Ukrainës. Ndër të tjera, Kumbulla tha se në “Air Albania” me mbështetjen e tifozëve gjithçka do të jetë më e thjeshtë.
“Janë kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Ukraina. Si gjithmonë do të futemi në fushë për të fituar. Me Gjeorgjinë kemi edhe tifozat pasi luajmë në shtëpinë tonë”, tha Kumbulla për takimin me Ukrainën.
Sa i përket përgatitjeve për dy ndeshjet e para në Nations League, Kumbulla pohoi se: “Besoj se grupi është gati, jemi stërvitur me intensitet të fortë dhe jemi gati për dy ndeshjet. Ukraina ka ekip shumë të fortë, ka lojtarë të mirë por edhe ekipi jonë ka shumë cilësi. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe e vështirë, shpresojmë që të fitojmë”.
“Tifozat do të na mbështesin si gjithmonë, ashtu si në Europian në Gjermani por edhe në shtëpi në Tiranë. Edhe ndeshja ndaj Gjeorgjisë do të jetë e vështirë, por me mbështetjen e tifozëve do të jetë më e thjeshtë. Do të futemi në fushë për të fituar, por të shohim dy ndeshjet e para. Objektivi është gjithmonë për të fituar”, tha mbrojtësi i Espanjol.