Kupa e Gjermanisë, kuriozitete dhe statistika të finales së Berlinit
Gjermania i jep fund sot në mbrëmje sezonit futbollistik 2023-2024 me finalen e Kupës së Gjermanisë. Në Berlin do të luhet takimi mes Kaizerslauternit dhe Bajer Leverkusenit në stadiumin “Olimpiastadion”.
Ky takim do të jetë historik pasi kanë kaluar plot 40 vite që nga momenti kur Berlini u bë vendi organizator i këtij eventi. Siç dihet gjithçka ka ardhur rastësisht. Në mesin e viteve ‘80 Gjermania aplikoi për të organizuar Europianin e 1988-ës dhe Federata Gjermane e Futbollit për të mos krijuar konflikte nuk renditi stadiumin e Berlinit mes impianteve ku do të mbahej eventi.
Në formë “kompensimi” Federata Gjermane e Futbollit caktoi Berlinin si vendin ku do të mbahej për pesë vite me radhë finalja e Kupës së Gjermanisë. Popullariteti i eventit bëri që kryeqyteti i Gjermanisë të caktohej si vendi ku do të mbahej gjithmonë kjo finale.
Berlini ka pritur gjithsej 26 skuadra të ndryshme, të cilat kanë luajtur për trofeun e dytë më të rëndësishëm në Gjermani.
Skuadra me më shumë prezenca në Berlin është skuadra e Bajernit, e cila ka fituar 6 finale dhe ka humbur dy të tilla të zhvilluara në kryeqytet.
Trajneri me më shumë prezenca në finalet e Berlinit është Tomas Shaf, i cili në pesë finale ka fituar tri të tilla.