Kupa e Shqipërisë në atletikë, Vllaznia për meshkuj dhe Tirana për femra, fituese të trofeut
Aktiviteti i radhës për Federatën Shqiptare të Atletikës ka qënë Kupa e Shqipërisë, e cila është organizuar në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit me pjesëmarrjen e ekipeve më të mira të Shqipërisë, mes të cilave edhe Vllaznia e Shkodrës e drejtuar nga katërshja e njohur e trajnerëve, Albert Marashi, Bruno Rrotani, Dorjan Tafa dhe Jetmir Jahaj. Në konkurimin individual, figurën më të mirë sportive nga ekipi i Vllaznisë e ka bërë Endri Rakaj, fitues i dy vendeve të parë, fillimsiht në garën e vrapimit 100 metër dhe më pas në Kërcim së gjati. Krahas dy vendeve të para në garat e tij të preferuara, Endri Rakaj që stërvitet nga trajneri i tij Dorjan Tafa, është shpallur edhe sportisti më i mirë i aktivitetit duke u nderuar me një kupë personale. Krahas Rakajt, kanë spikatur edhe Durjon Idrizaj, fitues i vendit të parë në garën e vrapimit 110metër me pengesa, për të vijuar me Sidrit Koplikun fitues i vendit të parë në vrapimin 400 me pengesa. Po kështu, rezultate shumë të mira kanë regjistruar edhe Kolindo Kiri duke u renditur i pari në garën e kërcimit tre hapsh, si dhe Glenis Haxhiaj, i pari në garën e kërcimit së larti. Në bazë të rezultateve individuale, Vllaznia ka qënë ekipi më i mirë në klasifikimin ekipin duke merituar Kupën e Shqipërisë për të 28-tën herë ku vlen për tu theksuar se 16 trofetë e fundit janë fituar radhazi për ekipin kuqeblu. Në konkurimin e femrave, nga ekipi i Vllaznisë, paraqitjen më të mirë e ka bërë Erisa Rrasa, fituese e vendit të parë në garën e saj të preferuar, Kërcim Tre Hapsh me distancën 12 metër. Ndërsa, në konkurimin ekipor për femra, Kupën e Shqipërisë e ka fituar Tirana.