Kupa e Shqipërisë për moshat, në fundjavë luhen ndeshjet e fazës çerekfinale

Ndeshjet e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për moshat U-17 dhe U-19 do të luhen më 11 dhe 12 janar. Në garë për të fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë janë 8 ekipe për secilën grupmoshë, bazuar në klasifikimin e skuadrave pas mbylljes së fazës së parë.
Të gjitha ndeshjet do të luhen me vetëm një takim, teksa janë përcaktuar tashmë edhe çiftet e kësaj faze për të dyja grupmoshat.
Teuta – Bylis dhe Tirana – Vllaznia janë dy takimet e para për grupmoshën U-19, që do të luhen në Kamëz. Të dielën më 12 janar do të përballen Dinamo City – Skënderbeu dhe Apolonia – Partizani. Ndeshja Dinamo City – Skënderbeu do të luhet në Kamëz, ndërsa takimi Apolonia – Partizani në “Shtëpinë e Futbollit”. Të gjitha ndeshjet do të luhen në orën 12:30.

Për grupmoshën U-17 në turin çerekfinal do të përballen këto ekipe: Teuta – Partizani, Vllaznia – Vora, Skënderbeu – Tirana dhe Dinamo City – Apolonia. Ndeshjet do të zhvillohen të shtunën (11 janar) dhe të dielën (12 janar) në orën 10:00. Takimi Dinamo City – Apolonia do të luhet në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa sfidat e tjera në Kamëz.
