Kupa e Shqipërisë, përcaktohen datat dhe çiftet e edicionit të 15-të
Pas mbylljes së fazës së parë të kampionatit të vajzave në muajin dhjetor, më 14 janar rikthehet Kupa e Shqipërisë për këtë kategori. Ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, sipas skemës së re, në këtë kompeticion do të marrin pjesë 8 ekipe, ndërsa dy skuadrat e renditura në vendin e parafundit dhe të fundit, respektivisht Skënderbeu e Teuta nuk do të marrin pjesë.
Kjo skemë është përllogaritur në bazë të renditjes së skuadrave pas përfundimit të fazës së parë, teksa ky edicion i 15-të i Kupës do të ngrejë siparin më 14 janar. Ndërkaq, tetë skuadrat që do të marrin pjesë në këtë kompeticion janë: Vllaznia, Tirana, Apolonia, Partizani, Gramshi, Laçi, Lushnja dhe Kinostudio.
Sipas skemës së përcaktuar nga Departamenti i Garave në FSHF, tetë ekipet do të ndeshen me njëra-tjetrën sipas kësaj formule: 8-1; 7-2; 6-3; 5-4;, ku numrat përkojnë me renditjen aktuale të ekipeve të vajzave pas fazës së parë.
Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje, me takimet e para që do të luhen më 14 janar dhe përballjet e dyta më 21 janar. Më konkretisht, shorti i ndeshjeve të turit të parë është si më poshtë:
Ndërkaq, më pas ndeshjet e turit gjysmëfinal do të luhen në datat 28 janar dhe 4 shkurt, ndërsa Departamenti i Garave në FSHF do të përcaktojë në ditët në vijim edhe datën se kur do të luhet finalja e madhe. Kujtojmë që Vllaznia është shpallur 10 herë me radhë fituese e këtij kompeticioni kaq të rëndësishëm në futbollin e vajzave.
Tirana – Lushnja (14 janar), ora 11:00/ Lushnja – Tirana (21 janar)
Vllaznia – Gramshi (14 janar), ora 12:00/ Vllaznia – Gramshi (21 janar)
Apolonia – Laçi (14 janar), ora 13:00/ Laçi – Apolonia (21 janar)
Partizani – Kinostudio (14 janar), ora 13:00/ Kinostudio – Partizani (21 janar)