Kuqezinjtë, gola, asist dhe spektakël në arenën ndërkombëtare
Kombëtarja shqiptare nis nga kjo e hënë grumbullimin dhe përgatitjet zyrtare për dy sfidat e fundit kualifikuese ndaj Moldavisë më 17 nëntor dhe Ishujve Faroe më 20 nëntor. Sakaq, legjionarët shqiptarë që aktivizohen në Europë kanë zhvilluar një fundjavë fantastike.
Një ndeshje fenomenale për Etrit Berishën, i cili ishte lojtari më i mirë në sfidën Napoli – Empoli që përfundoi 0-1 në favor të skuadrës së gardianit shqiptar. Portieri i Kombëtares kuqezi e mbajti portën e paprekur, duke shpëtuar skuadrën e tij në shumë raste dhe në fund u vlerësua me notën 9.1 nga sajti i specializuar për statistika ‘Sofascore’.
Sulmuesi Mirlind Daku u rikthye te goli në Rusi me Rubin Kazan, duke realizuar ndaj Sochi. Djaloshi shqiptar vulosi fitoren 2-0 të skuadrës së tij, falë një goditjeje spektakolare shumë pranë zonës. Sakaq, edhe në Belgjikë, Arbnor Muja gjeti rrugën e rrjetës në fitoren e thellë të Antëerp 6-0 ndaj St. Liege. Sulmuesi kuqezi shënoi golin e katërt të takimit dhe zhvilloi një ndeshje mjaftë të mirë. Në Rumani, Arlind Ajeti shënoi gol në barazimin e Cluj 3-3 ndaj Poli Lasi. Qendërmbrojtësi kuqezi realizoi golin e dytë për skuadrën e tij.
Sinjale pozitive edhe nga Suedia, aty ku Arbnor Muçolli dhuroi asistin e golit të fitores për skuadrën e tij në minutat shtesë (90+5). Pavarësisht se sulmuesi kuqezi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në të 89-të, vetëm pak minuta më vonë asistoi saktë për shokun e skuadrës duke marrë fitoren e madhe në transfertë.
Në Itali, kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti i dhuroi fitoren Atalantës në Europa League ndaj Strum Graz me golin e tij në minutën e 90-të, ndërsa në fundjavë ishte sërish titullar në barazimin 1-1 ndaj Udinezes, duke u vlerësuar si një prej më të mirëve në skuadrën e tij.
Odise Roshi shënoi golin e parë të sezonit me skuadrën e Sakaryaspor që triumfoi në trasfertë ndaj Boluspor me rezultatin 2-3. Mesfushori kuqezi ishte i pandalshëm duke realizuar një gol spektakolar.
U rikthye në fushë pas dëmtimit edhe Armando Broja, i cili u aktivizua në fushën e lojës në minutën e 90-të për Chelsea-n dhe ishte menjëherë protagonist duke fituar penallti. Në fund Chelsea shmangu humbjen dhe sfida ndaj Manchester City përfundoi me rezultatin 4-4.
Titullarë këtë fundjavë me klubet e tyre ishin edhe Elhan Kastrati, Ardian Ismajli, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Jasir Asani dhe Sokol Cikalleshi.