“Kur xhirohej një film”, të pathënat e shesh xhirimeve, detajet në RTSH1 çdo të shtunë nga Ardit Roshi
Filmat e vjetër shqiptarë mbeten nostalgji për çdo moshë. Por ajo që ndodhte përtej asaj që shihnim në ekran për shumëkënd është e panjohur.
Nga Ardit Roshi, vjen në RTSH1 emisioni më ri “Kur Xhirohej një film”, duke sjellë detajet në sheshet e xhirimit të viteve 70-80.
“Do të jetë një program emocioni, shumë i sinqertë shumë i thellë i cili do lejoj publikun në shtëpi me një çaj apo një gotë verë të kujtojnë ato momente që filmat shqiptar i kanë shoqëruar që nga momenti që janë shfaqur për herë të parë deri tek ditët tona që vazhdojmë i kujtojmë me mall”, u shpreh Ardit Roshi.
Ky emision do të sjellë për teleshikuesin e rrjetit të RTSH-së, zërin e atyre që kanë punuar pas kamerës, që sjellin detaje e përjetime të pathëna.
“Për fat të mirë kemi dëgjuar aktorët, regjisorët apo kineastët por për fat të keq nuk kemi dëgjuar asnjëherë ata që quhen prapa vija. Këto personazhe në studion e Radio Televizionit Shqiptar do na tregojnë si realizohej një film, si ishte shesh xhirimi, si ishin vështirësitë që duheshin tej kaluar”, tha moderatori Ardit Roshi.
Emisioni “Kur xhirohej një film” transmetohet çdo të shtunë në orën 21.00 në kanalin e RTSH 1.