Kurti: Asociacioni që kërkon Serbia do ta minonte Kushtetutën e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka cilësuar formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si minim të Kushtetutës së Kosovës.

Në një videomesazh drejtuar një aktiviteti të organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, Kurti u shpreh se ky asociacion nuk mund të bëhet pa njohur Serbia Kosovën, si shtet i lirë dhe i pavarur, pasi në të kundërt do të merreshin fuqi ekzekutive nga komunat.

Kjo gjë sipas Kurtit nuk mund të bëhet ligjërisht dhe se këto komuna nuk mund të ofrojnë garancitë dhe mbrojtjen që jep shteti i Kosovës.

“Asociacioni që po e kërkon Serbia, pa e njohur fillimisht Kosovën, do të kërkonte të merreshin fuqi ekzekutive, qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat, gjë që do ta minonte Kushtetutën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat gëzojnë zona të veçantë mbrojtëse nga dhjetëra deri në mijëra hektarë. Kësaj kërkesë do t’i duhej qeverisje nga një shtresë që nuk është e rregulluar ligjërisht për të ofruar gamën e gjerë të mbrojtjeve të cilat rendi i tanishëm i ofron. Ky është një rast kur kërkesa për më shumë është në fakt një ofertë më pak”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti u shpreh se Kushtetuta e Kosovës i respekton të drejtat e komunitetit serb, i cili ka të garantuar ligjërisht ulëset në parlament si dhe poste të larta shtetërore në gjithë sektorin publik.

“Kosova ka mbrojtje të fuqishme të pakicave, duke përfshirë ulëse të garantuara parlamentare. Komunitetet joshumicë kanë të drejtën e vetos mbi ligjet jetike dhe amendamentet kushtetuese dhe gëzojnë kuota për të gjitha emërimet e larta shtetërore dhe pozita të tjera në sektorin publik, duke përfshirë policinë. Minoriteti serb, i cili përbën rreth 4% të popullsisë, qeveris mbi një të katërtën e komunave dhe mban afërsisht 9% të vendeve në Parlament, të cilat u janë të garantuara. Ne jemi të përkushtuar ndaj qeverisjes së zellshme që nxit një rritje më të barabartë dhe mbrojtje të fortë të Kushtetutës sonë”, u shpreh Kurti.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.