Kurti darkon me shkrimtarin Orhan Pamuk: I interesuar për Kosovën e shqiptarët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një vizite zyrtare në Turqi ka zhvilluar një takim edhe me shkrimtarin e njohur Orhan Pamuk.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shprehet i entuziazmuar për takimin me Pamuk, gjersa thekson se shkrimtari ishte i interesuar për Kosovën dhe shqiptarët.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat.
Në restorantin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme.
Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, shkruan Kurti.
Ndryshe, kryeministri gjatë vizitës në Turqi është takuar edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.