Kurti dhe Vuçiq ulen sot në tryezën e dialogut në Bruksel
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohen sot (26 qershor) në Bruksel në lidhje me raundin e ri të dialogut të nivelit të lartë. Takimi vjen pas 9 muajsh tensione mes liderëve të dy vendeve, dhe do të mbahet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Xhosep Borel (Josep Borrell) dhe i dërguari special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.
Një ditë më parë, kryeministri Kurti u shpreh se takimi me Vuçiq, do të jetë në funksion të rikapitulimit të procesit të dialogut.
“Besoj që përveç tjerash, takimi i nesërm, edhe bilateral edhe trilateral, do të jetë në funksion të rikapitulimit të këtij procesi trevjeçar. Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, tha Kurti.
Më tej, kryeministri deklaroi se marrëveshja bazike e 27 shkurtit të 2023-shit, dhe Aneksi i Zbatimit “është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, e cila nuk është realizuar”.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.