Kurti kërkon heqjen e masave evropiane “Bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian”
Në Mbledhjen e Këshillit Ministror për integrim evropian të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës, e cila sipas Kurtit ka përmbushur 70 për qind të reformave të planifikuara me komisionin evropian në kuadër të aspiratës për t’u bërë pjesë e bllokut.
“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sidomos edhe në planin e rritjes e me qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave në BE, në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, deklaroi Kurti.
Kurti ndërkohë u shpreh se anëtarësimi në BE duhet të jetë I bazuar në meritokraci, ndërsa vuri në dukje se krahasuar me rajonin, Kosova, që sipas tij është demokracia më e avancuar në rajon, është e gatshme jo vetëm për statusin e vendit kandidat por edhe për hapjen e negociatave dhe kapitujve drejt anëtarësimit evropian.