Kurti: Më 1 janar 2024 qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e BE-së

3b6896ddb7ed47ea98ce9bf0b06c83b8
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në Bled të Sllovenisë se më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Kosovës do udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.
Gjatë darkës së shtruar nga kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, Kurti e vendosi theksin te rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit.
“Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës arriti të dielën (27 gusht) në Slloveni për Forumin Strategjik dyditor që nis sot me temë “Solidaritet për Sigurinë Globale”.
Kurti mirëpriti gjithashtu thirrjet e homologut Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor.