Kurti : Më shumë buxhet për komunat në vitin 2024
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sikurse ishte lajmëruar një ditë më parë, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e komunave, teksa ka thënë se ky format i diskutimeve bëhet me qëllim të kujdesit ndaj qytetarëve.
Takimi ka nisur me një një minutë heshtje ku është nderuar rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Më pas, Kryeministri Kurti tha se një lajm i mirë është fitorja e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Sipas tij, mbi 250 milionë euro investime publike janë parapara në konceptin me të cilën është fituar kandidatura në këto lojëra.
Kurti tha se buxheti për komunat për vitin 2024 e kalon 700 milionëshin, e që është gati 90 milionë euro më i lartë se vitin paraprak.
Në përfundim, Kryeministri ka falënderuar kryetarët e komunave për mbështetjen e dhënë për Policinë e Kosovës, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator.
“Ju falënderoj për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar me Policinë e Kosovës në këto ditë të vështira të përballjes me kriminelët dhe terroristët, me një betejë të cilën e ngadhënjyem, por të cilën heroikisht ra rreshteri, Afrim Bunjaku”, tha Kurti.