Kurti nis takimet konsultative për krijimin e qeverisë së re, ftesë kreut të LDK, Lumir Abdixhikut

Kryeministri Albin Kurti ka nisur takimet konsultative me qëllim konstituimin e plotë të Kuvendit e krijimit të qeverisë së re.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, që është njëherësh edhe kryeministër në detyrë i vendit, i ka nisur një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ku i kërkon takim më 9 prill për konsultime paraprake në kuadër të procesit të zgjedhjes së qeverisë së re.
Kurti i është drejtuar Abdixhikut se pret përgjigjen e tij për këtë kërkesë takimi.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet në letrën që Kurti ka dërguar Abdixhikut.
Sikurse u vendos edhe nga Presidentja Vjosa Osmani, seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill.