Kurti pritet nga liderët shtetëror të Bullgarisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vizitën e parë në Sofje të Bullgarisë, është pritur nga liderë shtetërorë dhe kanë marrë pjesë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik të Vjenës, që kësaj radhe, sipas Kurtit, mbajti punimet në kryeqytetin bullgar.
“Qëndrimin atje e filluam me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit. Në fjalën përshëndetëse vura theksin te rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal drejt integrimit më të madh ekonomik dhe prosperitetit për rajonin tonë”, ka shkruar i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në faqën e tij në Facebook.
Për marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve, Kurti tha se sfidat dhe mundësitë, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal kanë biseduar me kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Dimitar Glavchev me të cilin, siç tha Kurti, janë takuar për herë të parë, dhe me presidentin e vendit, Rumen Radev, katër muaj pas bisedës në Prishtinë.
“Ndërmjet takimeve me krerë të shtetit bullgar, isha folës në sesionin e diskutimit me titull “Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në bashkëpunimin ekonomik rajonal”, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës që sivjet u zhvillua me moton “Vazhdimi i ndërtimit të urave në kohë të vështira”. Aty shpalosëm historinë tonë të suksesit dhe arritjet përgjatë qeverisjes sonë dhe vizionin tonë për sektorin e teknologjisë që dita ditës po bëhet identitet i vendit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shkruar se pas Sofjes, vazhdojnë drejt Hanoverit të Gjermanisë bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për më shumë takime me ndërmarrës, investitorë potencialë dhe përfaqësues politikë të landit gjerman Niedersachsen citon RTK.