Kurti: Serbia është kërcënuese e sigurisë në Ballkanin Perëndimor
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se Serbia është kërcënuese e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shtoi se këto kërcënime trajtohen vetëm duke i dhënë “Kosovës statusin e e vendit kandidat në BE dhe anëtarësimin në KiE”.
Gjatë konferencës ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, Kurti tha se Serbia e ka sjellë 4 herë ushtrinë në kufi dhe ka sponsorizuar grupet terroriste që të shkaktojnë tensione në Kosovë.
“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen duke përdorur të njëjtën qasje, pra duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit. Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socioekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve”, tha Kurti
Faktin që Kosova nuk po anëtarësohet në Këshillin e Europës, për Kurtin nuk ka të bëjë me mungesën e demokracisë në vend, por me bllokimin që i bën Serbia.
“Mungesa e përparimit në anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me mungesën e demokracisë dhe mbrojtjes së fortë të të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, por në sjelljen e një regjimi autoritar sepse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO apo BE. Ajo kërkon të bllokojë përparimin e gjithë rajonit”, tha Kurti.