Kurti: Serbia të ndëshkohet! “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste nga ndërkombëtarët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të ndëshkojnë Serbinë, pas ngjarjeve që u regjistruan në veri, ku një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke i marrë jetën efektivit Afrim Bunjaku.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti tha se Serbia qëndron pas këtij sulmi, teksa shtoi se në rast se nuk ndëshkohet, mund të përsërisë të njëjtën gjë.
Po ashtu, Kurti kërkoi që organizatat serbe në veri, “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile” të shpallen si organizata terroriste edhe nga ndërkombëtarët.
“Prej të dielës, asgjë më nuk është e njëjtë. Ajo që kemi thënë se Serbia po sponsorizon terrorizmin në veri, u vërtetua për të gjithë. Individë të sanksionuar në listë të zezë nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, u faktua që janë në krye të këtij organizimi. Radoiçiq u pa qartë se ishte në krye të këtij organizimi. U faktua që një prej terroristëve të vrarë është truproja i shefit të shërbimit informativ serb. Policia e Kosovës ka vendosur sigurinë në pjesën veriore. Ka shpërndarë mbi 100 pako ushqimore që plotësojnë nevojat bazike të banorëve serbë që jetojnë në Banjskë. Organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut”, të shpallen terroriste edhe nga shtet tona mike e aleate siç bëmë ne para 3 muajsh. Për këtë akt agresioni ndaj Republikës sonë, Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë që nuk është dënuar për krimet e saj, ajo i ka përsëritur dhe kjo nuk duhet lejuar”, u shpreh Kurti.
Një nga politikanët e Listës Serbe i shpallur në kërkim, Milan Radojçiq, pranoi një ditë më parë (29 shtator) se ka qenë i pranishëm në sulmin e armatosur të ndodhur në fundjavë në Zveçan kundër forcave policore të Kosovës.
Autoritetet kosovare e kanë akuzuar Radojçiqin për terrorizëm dhe të premten bastisën edhe shtëpinë e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Vetë Radojçiqi, i cili është dorëhequr edhe nga posti i nënkryetarit të partisë Lista Serbe, reagoi përmes avokatit se më 24 shtator ai ishte në Banjskë, fshatin ku ra edhe dëshmori Afrim Bunjaku në përballje me grupin sulmues.