Kurti telefonatë me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin francez, Emanuel Macron ku ky i fundit ka shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në një telefonatë me presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Ndërkohë në një komunikatë nga pallati presidencial i Francës, kanë theksuar se Macron ka nënvizuar rëndësinë që Franca i kushton progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të zbatimit nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Javën e kaluar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i hapi Kosovës rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë, fjalën përfundimtare për të cilin duhet ta jap Këshilli i ministrave muajin e ardhshëm.