Kushtet ekstreme të motit në Katar, reagon FIA
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka ndërhyrë menjëherë në lidhje me polemikën për kushtet e vështira klimatike në të cilat u zhvillua Çmimi i madh i katarit në Formula 1. Drejtuesit e FIA-s kanë pranuar se situata ka qenë ekstreme, duke premtuar masa për të ardhmen: “FIA vëren me shqetësim se temperaturat dhe lagështia ekstreme e vërejtur gjatë Çmimit të Madh të Katarit 2023, në Formula 1, patën një ndikim të madh në shëndetin e pilotëve – lexohet në një shënim zyrtar të Federatës. – Pavarësisht se janë sportistë elitarë, ata nuk mund të konkurrojnë në kushte që mund të rrezikojnë shëndetin ose sigurinë e tyre”.
Gara në Lusail ishte një makth i vërtetë. Logan Sargeant u detyrua të tërhiqej për shkak të lodhjes, Esteban Ocon pranoi se kishte marrje mendsh dhe të vjella në makinën e tij në kohën që drejtonte njëvendëshen e tij në garë, Lance Stroll dhe Alexander Albon kishin nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore sapo mbaroi gara. Ndërsa pilotët e podiumit hoqën menjëherë kostumet dhe u freskuan me ujë ndërsa prisnin të merrnin trofetë.
Në këto kushte FIA do të miratojë menjëherë një paketë me parametrat e pranueshëm në të cilat duhen zhvilluar garat. Ndërsa është fiksuar që gara në Katar për edicionin 2024 të Formula 1 do të zhvillohet ndërmjet 29 nëntorit dhe 1 dhjetorit, kur temperaturat pritet të jenë më të ulëta. Një seri masash, për të mbrojtur shëndetin e pilotëve në pistë, do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të komisionit mjekësor në Paris.