Kuvend/ Bardhi letër Nikollës: Fut në rend dite ndryshimin e përbërjes së komisionit për reformën zgjedhore
Demokrati Gazmend Bardhi i ka dërguar një letër kryeparlamentares Lindita Nikolla ku kërkon përfshirjen në rendin e ditës së Kuvendit, të përbërjes së komisionit të reformës zgjedhore në lidhje me përfaqësuesit e opozitës.
Sipas Bardhit, Kuvendi nuk mund të zgjasë afatin e veprimtarisë për një komision të posaçëm që nuk ka funksionuar, por duhet të ngrejë një komision të ri të reformës zgjedhore duke shtuar objektin e punës së komisionit të reformës edhe me rekomandimet e pritshme të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit.
“Edhe pse Kuvendi ka zgjatur disa herë afatin e veprimtarisë së Komisionit, rezulton se produkti i tij është i pakët dhe puna në Komision nuk ka ecur me ritmet e kërkuara nga rëndësia që ka Reforma Zgjedhore.
Edhe pse është ngritur dhe funksionon prej 1 viti e 6 muaj, për fat të keq Komisioni nuk ka zhvilluar mbledhje dhe nuk ka patur asnjë rezultat.
Zgjatja e afatit të veprimtarisë për të disatën herë, pa analizuar punën e Komisionit, gjykojmë se është e papërshtatshme. Kuvendi nuk mund të zgjasë afatin e veprimtarisë për një komision të posaçëm që nuk ka funksionuar, pa analizuar shkaqet dhe arsyet.
Kuvendi ka nevojë të ngrejë një Komision të ri të Reformës Zgjedhore duke shtuar objektin e punës së komisionit të reformës edhe me rekomandimet e pritshme të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit.
Kërkojmë ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore lidhur me përfaqësuesit e opozitës “ Oerd Bylykbashi-Bashkëkryetar; Dhurata Çupi-anëtare; Dashnor Sula-anëtar; Ervin Salianji-anëtar; Lindita Metaliaj-anëtar; Tomor Alizoti-anëtar; Fatmir Mediu-anëtar; Shpëtim Idrizi-anëtar; Petrit Vasili-anëtar; Eralda Bano-anëtar zëvendësues; Asllan Dogjani-anëtar zëvendësues; Elda Hoti-anëtar zëvendësues”, thuhet në letrën e Bardhit.