Kuvend-Bardhi: Po bëni avokatin e vëllait të Kryeministrit. Spiropali: Sillni dy liderët tuaj në binarë, po “kafshojnë” SPAK-un
Seanca e Kuvendit ka nisur me akuza dhe debate mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me kërkesën e opozitës për mocion me debat lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike në vendin tonë.
Deputeti demokrat Gazmend Bardhi ka kërkuar që Kuvendi të jap llogari dhe të bëjë publike arsyet se pse nuk u pranua kërkesa e opozitës për mocion me debat, ndërsa ka akuzuar mazhorancën se po bën “avokatin e vëllait të kryeministrit me urdhër politik”.
Bardhi ka hedhur akuza se policia e shtetit dhe segmente brenda prokurorisë kanë mbrojtur qëllimisht Olsi Ramën për dosjen e laboratorit të drogës në Xibrakë.
“Në shkelje të plotë të rregullores anashkaluat një çështje që është shqyrtuar në Konferencën e Kryetarëve dhe vendoset të mos sillnit në seancë plenare por duhet të respektoni atë dispozitë që aplikuat në Konferencën e Kryetarëve. Grupi i PD ka paraqitur një kërkesë për mocion me debat lidhur me prodhimin dhe trafikimin e drogës në vendin tonë si një vend prodhues dhe transit të trafikut ndërkombëtar. Lufta e qeverisë në raport me këtë fenomen ka çeduar duke favorizuar grupe kriminale që trafikojnë lëndë narkotike. Po sjell si shembull atë lëshim me dashje nga Policia e Shtetit dhe segmente brenda prokurorisë që i kanë bërë Olsi Ramës sa i takonin laboratorit të drogën në Xibrakë. Keni vendosur të grisni Kushtetutën dhe debatin parlamentar mund të keni pasur urdhër politik ta bllokoni, por kur e bllokon duhet të jepni shpjegime dhe duhet të dilni hapur si avokat i Olsi Ramës”, tha Bardhi.
Në emër të mazhorancës foli ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ku tha se opozita duhet të “sjellë në binar” dy liderat e tij politik, “njëri që sulmon SPAK nga maja e ballkonit dhe tjetri që është pushtuar nga dëliri duke kafshuar SPAK-un”.
“Këtë opinion për baballarët në majë të thanës, njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe tjetri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon SPAK dhe kreun e SPAK nëpër ekrane. A keni një opinion për këtë? Të dy baballarët tuaj as I përmendni, të dy president të kësaj Republike, të dy kryeministra të këtij vendi, të dy bela të këtij populli. Ju s’mund të shpreheni. Na thoni çfarë opinioni keni për ulërimat e tyre? Në emër të të cilëve vini sot këtu dhe na tregoni gishtin për drejtësinë. Juve ju gënjen mendja dhe mund të hani thana në pemët e tyre dhe ti vilni votat në koshin e popullit. Duke I mbajtur të dy ata mbi supe siç mbanin shërbëtorët nj kohe mbretërit. Këtu vini e kërkoni sherr duke u përpjekur të mbani Kuvendin peng. Çfarë është SPAK për ju? Kur SPAK godet baballarët tuaj është organizatë kriminale. O duhet të shkojë në burg trafikanti I përgojuar prej jush ose duhet të përgjigjeni ju si kallëzues I rremë. Në rast se përgjigja juaj është ajo që na dhatë herën e kaluar, atëherë vazhdoni kështu. Sa i takon mocioneve me debat s’janë as manuale denigrimi, as shpifje, por ky institucion është institucioni më i lartë në vend dhe s’mund të pranoj kërkesat tuaja”, tha Spiropali.
Ermonela Felaj, e cila po drejton seancën plenare tha se “mocioni me debat nuk ka marrë dakordësinë në Konferencën e Kryetarëve duke mos kaluar për diskutim në Kuvend”.