Kuvend, Berishës nuk i hiqet mandati i deputetit
Gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka bërë të ditur se kreut të Rithemelimit Sali Berisha nuk i hiqet mandati i deputetit.
“Dua t’i japim fund spekulimeve. Qenia e një personi nën këtë masë nuk mund të konsiderohet si mungesë pa arsye në Kuvend. Jemi konsultuar me njohes te ligjit dhe Kushtetutës”, ka thënë Lindita Nikolla në mbledhjen e kryetarëve.
Që prej 30 dhjetorit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurimit nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Ai gjendet nën hetim për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.