Kuvend/ Noka: Përcaktoni minimumin jetik 200 euro. Koçiu: Synojmë rritjen e punësimit, jo lëmoshë
Përcaktimi i minimumit jetik ka qenë pjesë e debateve mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend, ku opozita kërkon përcaktimin e saj sipas ligjit, ndërsa mazhoranca thekson se është kundër kësaj pasi politikat e qeverisë janë për rritjen e punësimit dhe jo dhënies së “lëmoshave”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha se qeveria duhet të përcaktojë minimumin jetik si një normë ligjore të përcaktuar qartë. Ai e cilësoi këtë si një hap të nevojshëm për të mbrojtur shtresat më të varfra të shoqërisë dhe për të parandaluar diskriminimin ndaj tyre.
“Në vlerësim i përcaktuar si terminologji, por është i papërcaktuar dhe duhet të jetë detyrimisht i përcaktuar pasi jemi i vetmi vend që nuk e bëjmë këtë. Minimumi jetik është normë ligjore dhe vjen si aplikim në çdo vend të botës në bazë të një metodologjia që përcaktohet minimumi jetik. Në vendin tonë minimi jetik ndikon në politikat e një qeverie për të diskriminuar shtresat e varfërve, ato që sulltan Surreli thotë që i ka në konsideratë. Ne e kemi të përcaktuar, minimumi jetik do të jetë 200 euro. Nuk do të ketë asnjë familje qoftë ndihmë ekonomike, qoftë pension, qoftë pension invaliditeti qoftë dhe bursë studenti që të jetë për shqiptarët nën 200 Euro”, tha Noka.
Por ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçi, ka theksuar se qeveria shqiptare ka fokusuar politikat e saj në rritjen e punësimit dhe të pagave, duke nënvizuar se paga minimale është dyfishuar krahasuar me vitin 2013. Koçi ka theksuar se qeveria është kundër ideve që kërkojnë shpërndarjen e “lëmoshës” për të siguruar mirëqenien e shtresave në nevojë. Ajo ka shtuar se për të luftuar varfërinë, nuk duhet të ofrohet asistencë financiare pasive, por mundësi për punësim dhe integrim në tregun e punës.
“Ne kemi pasur politika që janë të përqendruara në rritjen e punësimit dhe rritjen e pagave. Sot paga minimale është sa dyfishi i pagave në 2013. Politikat tona janë për të nxitur të papunët. Synimi ynë kryesor është që të forcojmë programet e punësimit dhe të integrimit të atyre që janë forcë pune dhe jo të japim lëmosh duke mos synuar integrimin e tyre në tregun e punës. Qëllimi ynë është që të integrojmë ata që kanë mundësi për të punuar. Programet e punësimit për të rinjtë janë programe që aftësojnë të rinjtë në tregun e punës, shtresat e varfëra nuk kanë nevojë që të sigurojnë mirëqenien me lëmosh por duke i integruar në tregun e punës. Ne jemi kundër këtij propozimi për minimumin jetik”, tha Koçiu.