Kuvend/ Opozita: Nxirrni nga sirtari rezolutën për genocidin serb. PS: Rezolutë për integritetin territorial të Kosovës
Situata mes Prishtinës dhe Beogradit, kërkesa për rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë, interpelanca me Kryeministrin Edi Rama mbi deklaratat e artikuluara së fundmi mbi tensionet mes këtyre dy vendeve dhe seanca e posaçme e 12 tetorit, kanë sjellë përplasje në seancën plenare mes opozitës dhe mazhorancës.
Deputeti demokrat Tritan Shehu ka kërkuar nga mazhoranca që të nxjerrin nga sirtarët kërkesën me debat dhe rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë.
Sipas Shehut, mazhoranca nuk po bën tjetër veçse po tregon se është kthyer në mburojë të krimeve serbe.
“Prej mbi një viti keni bllokuar kërkesën me debat dhe rezolutë genocidin serb në Kosovë. Ju keni treguar që jeni kthyer në mburojë të krimeve serbe, në një faktor negativ në dënimin e së vërtetës dhe krijimin e situatave absurde në Shqipëri.
Ai qëndrim i cili është zanafilla e gjithçka dhe pasuar me deklarata në kundërshtim me interesat kombëtare, të Kosovës, rajonit, të kryeministrit.
Deklarata e pak ditëve më parë për “tokën e askujt”. Në këtë mënyrë, heshtja juaj, frika për të dënuar gjenocidin serb krijon konfuzion total.
Ju kërkoj diskutimin e këtij procesi, kthimin e rezolutave që mbani në sirtarë dhe hapjen e një debati ku duhet të flasë Kryeministri, Ministri i Jashtëm”, tha Shehu.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla deklaroi se nuk ka asnjë shqiptarë që të mos jetë në krah të Kosovës, duke theksuar së në seancën e 12 tetorit do të diskutohet mbi tensionet me Serbinë.
Por deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh se mazhoranca duhet ta tregojë me vepra se është krahë Kosovës. Ai theksoi se në seancën e sotme plenare, i pranishëm duhet të ishte Kryeministri Edi Rama për t’u përgjigjur mbi një sërë pyetjesh në lidhje me deklaratat e fundit mbi situatën Kosovë-Serbi.
“Me fjalë jeni krahë Kosovës, por rezoluta, rregullorja, ligji, entuziazmi patriotik juaji e do që Kryeministri të ishte këtu për interpelancën dhe të jepte përgjigje.
E kemi depozituar interpelancën. Do duhet të njoftoje se ç’bëhet me interpelancën me kryeministrin për çështjen e Kosovës. Kjo duhet të ishte pika e parë e rendit të ditës. këto janë aktet që tregojnë je apo jo në mbështetje të Kosovës.
Kjo duhet treguar me fakte. Kryeministri të vijë dhe të tregojë gjithë linguazhin që ka përdorur për Kosovën. Po e presim”, tha Alibeaj.
Në kundërpërgjigje të deklaratave të tij, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, sqaroi se në mbledhjen e djeshme (4 tetor) të Konferencës së Kryetarëve, u vendos që të enjten e 12 shtatorit, Kuvendi duhet të dalë me një rezolutë që mishëron vullnetin e tij në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial të Kosovës dhe të drejtën e saj për të qenë e pavarur.
“Sa i takon çështjes së mocionit dhe interpelancës, ramë dakord që kjo çështje që ka rëndësi kombëtare, duhet nga ky kuvend të dalë produkt i përbashkët dhe ramë dakord për një mocion me debat 6 orë ku do kemi mundësi të debatojmë në Kuvend të paraqesim amendamentet dhe të dalim me një rezolutë që mishëron vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën e saj për të qenë e pavarur”, u shpreh Spiropali.