Kuvendi i hoqi imunitetin Berishës, Meta: Janë aplikuar standarde të dyfishta. PL mbështet protestat
Kreu i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta ka reaguar në lidhje me vendimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit ish-kryeministrit Sali Berisha, që i hap rrugën SPAK për arrestimin e tij. Në një konferencë për shtyp, Meta tha se ish-kryeministri ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë, por theksoi se në rastin e Berishës janë përdorur standarde të dyfishta.
“Edhe vetë zoti Berisha ka qenë i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai ka kontestuar rrugën që është ndjekur në mbrojtje të parimeve Kushtetuese dhe garancive që Kushtetuta i jep deputetit, jo si privilegj, por si mbrojtje. Të gjithë e dinë që janë aplikuar standarde të dyfishta në rastin e zotit Berisha i cili nuk është deputet i zakonshëm por lider i forcës kryesore opozitare, apo ish-deputetëve të maxhorancës. Sa më takon mua, s’kam patur dhe as kam ndonjë shqetësim të tillë. Si ai takon mitit të paprekshmëve kjo është një përrallë. Ai është një zyrtar shumë i lartë, por nuk është një kryeministër në detyrë apo President në detyrë”, u shpreh ai.
I pyetur se përse ka munguar në protestat e fundit të opozitës, Meta nuk dha një arsye specifike, por shtoi se PL i mbështet ato.
“Kanë qenë do të jenë edhe sipas rastit, padyshim edhe unë do të jem edhe drejtues të tjerë të PL do të jenë, ne përkrahim çdo protestë në mbrojtje të parlamentarizmit. Kërkesat e opozitës janë një domosdoshmëri për vendosjen e normalitetit në vend”, tha Meta.