Kuvendi i Kosovës mban sot seancën konstituive për legjislaturën e re

Kuvendi i Kosovës vijon sot seancën konstituive të legjislaturës së tij të nëntë për zgjedhjet e kryetarit dhe nënkryetarëve të tij të rinj. Të shtunën, u miratua raporti i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve ndërsa u bë betimi i këtyre të fundit.
Në pikën e tretë të rendit të ditës, Lëvizja Vetëvendosje si forca që arriti të siguronte më shumë mandate në zgjedhjet e nëntë shkurtit, propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të kuvendit, por pavarësisht se u votua dy herë, kjo kandidaturë nuk arriti të kalonte pasi mori 57 nga 61 votat e nevojshme.
LVV ndërkohë ka paralajmëruar do të jetë sërish Albulena Haxhiu ajo që kjo Lëvizje do të paraqesë në seancën e sotme që nis në orën 15:00 për Kryetare Kuvendi. Sipas rregullores së Kuvendit, seanca konstituive e organit ligjvënës përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Nëse ky konstituim arrin të realizohet këtë të hënë, atëherë hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.
Ndërkaq, përmes një deklarate për media, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), vlerëson se e njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit. Sipas PDK-së, ka ardhur momenti për themelimin e institucioneve të reja të Republikës.