Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 101 vota pro, dhe 1 abstenim, Rezolutën për sulmet në Veri të Kosovës
Në përfundim të mocionit me debat dhe interpelancës, Kuvendi votoi pro rezolutës të dakordësuar nga dy grupimet politike, të majtë dhe të djathtë dhe që dënon sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës.
Dokumenti në fjalë, thekson rëndësinë e mbrojtjes së interesave të përbashkëta dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa parashtrohen tre pika.
Në këto tre pika kërkohet hetim ndërkombëtar për sulmin e 24 shtatorit, si dhe për faktin që qeveria e Kosovës të punojë me aleatët ndërkombëtarë.
Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë, nga ku asnjë nuk votoi kundër, por pati 1 abstenim.
REZOLUTA
Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës;
Në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon;
Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023.