Kuvendi nuk humb kohë, i dërgon SPAK autorizimin për arrestimin e Berishës
Pak orë pas miratimit me 75 vota në seancë plenare, të kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Kuvendi i ka dërguar SPAK dy raportet e mazhorancës dhe Enkelejd Alibeajt të miratuara më 18 dhjetor në Këshillim e Mandateve dhe Imunitetit.
Deputetët socialistë dhe ai i opozitës Enkelejd Alibeaj, pavarësisht raporteve të ndara ishin unanimë në konkluzionet dhe rekomandimin e tyre për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.
Dy raportet u miratuan këtë të enjte në seancën plenare vetëm me votat e mazhoranës, ndërsa opozita protestoi duke përmbysur karriget para foltores së Kuvendit dhe duke ndezur tymuese.
Ish-kryeministri po hetohet në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ndërsa për të ishte caktuar masa e sigurisë ‘detyrim paraqitje” dhe ndalim i daljes jashtë Shqipërisë”.
Ky i fundit e konsideronte vendimin e SPAK si antikushtetues për shkak se nuk kishte marrë autorizim nga Kuvendi. Berisha refuzoi katër herë të paraqitej para oficerit të policisë gjyqësore, duke sjellë kështu reagim nga ana e SPAK, që kërkoi më pas shtrëngim të masës së sigurisë, duke dërguar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit.