Kuvendi seancë maratonë prej më shumë se 17 orësh, mbyll punimet pas mesnate! Braktiset nga deputetët!
Në një seancë maratonë Kuvendi i Shqipërisë mbylli punimet rreth orës 2:30 të mëngjesit të ditës së sotme, pas më shumë se 17 orësh punime.
Me një axhendë të ngjeshur, në Kuvend u lexuan raportet e veprimtarisë vjetore për vitin 2023 të Avokatit të Popullit, Bankës së Shqipërisë, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Autoritetit të Konkurrencës, Institutit të Statistikave (INSTAT).Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në fund të seancës tha se miratimi i projektrezolutës për institucionet që raportuan si dhe të atyre të drejtësisë që u lexuan në seancën e 15 korrikut, do të votohen sot në orën 18:00. Salla ishte e boshatisur nga deputetët.
Janë 7 projektvendime pa diskutim. Përveç projekt rezolutave që u lexuan sot, janë dhe 5 për miratim për 5 institucionet e drejtësisë që u lexuan në seancës e kaluar. Votimi do bëhet sot në orën 18:00.’- tha Nikolla. Në një seancë maratonë e cila nisi orën 10:00, deputetët miratuan fillimisht projektdeklaratën “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës”.
Në vijim, Kuvendi vijoi me interpelancën me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho. Po ashtu, Kuvendi zhvilloi sot edhe interpelancën me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj.